Shefat e Mbrojtjes së NATO-s diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën

Shefat e mbrojtjes të NATO-s zhvilluan sot diskutime rreth garancive të sigurisë që mund t’i ofrojnë Kievit – për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje paqeje – që do t’i japë fund luftës 3-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i aleancës, sipas AP.
Admirali italian, Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, tha se 32 shefa të mbrojtjes nga e gjithë aleanca zhvilluan një video-konferencë mes një nxitjeje diplomatike të udhëhequr nga SHBA-ja – për t’i dhënë fund luftimeve.
“Pati një diskutim të shkëlqyer dhe të sinqertë. I falënderova të gjithë për pjesëmarrjen e tyre gjithmonë pro aktive në këto takime. Ne jemi të bashkuar dhe ky unitet ishte vërtet i prekshëm sot, si gjithmonë”, shkroi ai në X pa dhënë detaje të mëtejshme.
Garancitë për të shmangur pushtimin e Ukrainës në të ardhmen – janë thelbësore për ta bindur Ukrainën të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Kievi kërkon ndihmën perëndimore për të forcuar ushtrinë e saj, duke përfshirë armët dhe trajnimin e personelit, dhe zyrtarët evropianë po përpiqen të kuptojnë se çfarë angazhimesh mund të ofrojnë.