18:07 / E Diele, 01 Korrik 2018 / indeksADMonline

Shënohet Dita Ndërkombëtare e KFOR-it (Foto)

KFOR-i dhe 28 vendet anëtare të NATO-s, sot në Kosovë shënuan Ditën Ndërkombëtare të KFOR-it, që këtë vit festimi i kësaj dite kishte për qëllim promovimin e kulturës së misionit paqeruajtës për të gjithë pjesëmarrësit në vendin tonë.

Po ashtu, qëllimi i shënimit të kësaj dite edhe ishte përçimi i mesazhit se KFOR-i dhe 28 vendet anëtare të NATO-s përfaqësojnë një përzierje të kulturave dhe etnive, të cilat bashkëjetojnë dhe veprojnë të bashkuara për të gjithë qytetarët në Kosovë.Në këtë manifestim morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ai i Francës Didier Chabert dhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë Natalyia Apostolova.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua komandanti i KFOR-it në Kosovë, Salvatore Cuoci, i cili tha se fëmijët janë e ardhmja e Kosovës dhe nga gjithë ky organizim ata do të mësojnë se integrimi kulturor është çelësi për një të ardhme më të ndritshme.

Paraprakisht Cuoci tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Kosovën për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët.

Me rastin e shënimit të kësaj dite u zhvilluan aktivitete të ndryshme, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të provojnë ushqime tradicionale të shumë vendeve, ndërkohë që ekipi akrobatik i njësisë italiane të parashutistëve u lëshuan me parashutë.

Ushqime të ndryshme nga 28 vende ishin servuar për mysafirët, e që tregonin kulturën e secilit komb që kontribuon në kuadër të KFOR-it. Për herë të parë në shënimin e “Ditës Ndërkombëtare të KFOR-it” mori pjesë Besa Shala, e cila tha se u njoftua me tradita të vendeve të ndryshme.

Ndërsa, Erda Halimi që kishte marrë pjesë edhe disa herë tjera, tregoi se po kalonte shumë bukur. Erdës një pjesëtare e KFOR-it i kishte vizatuar në fytyrë një flutur dhe ajo tha se po e pëlqente shumë.

Dita Ndërkombëtare e KFOR-it është mbajtur në Kampin “Kosova Film”, ngjarje kjo e cila organizohet çdo vit nga misioni paqeruajtës në Kosovë.

Temat: