22:25 / E Diele, 28 Qershor 2020 / indeksADMonline

Shënohet edhe një rast me COVID-19 në Malishevë


Bazuar në rezultatet e testimeve të sotme për COVID-19, një qytetar i Komunës së Malishevës, ka rezultuar pozitiv. Kjo është konfirmuar edhe nga komunikimi zyrtar në mes të Komunës së Malishevës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Lidhur me situatën e krijuar, sot përsëri shtabi komunal emergjent në Malishevë, ka kërkuar nga qytetarët dhe subjektet afariste, që të bëjnë kujdes dhe t’iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
“Qytetar të nderuar të Komunës së Malishevës, ju lutemi që të zbatoni në përpikëri të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të të gjitha organizmave tjerë shëndetësorë, për mbajtjen e maskave mbrojtëse, mbajtje të distancë sociale dhe të higjienës personale, në veçanti pastrimin e shpeshtë të duarve.

Po ashtu kërkojmë edhe nga lokalet afariste që ti zbatojnë rekomandimet, e sidomos në sektorin e gastronomisë, për dezinfektim të rregullt të lokaleve, bartjen e mjeteve mbrojtëse nga ana e stafit të punëtorëve, dhe mbajtjen e dezinfektuesve të duarve, pasi rreziku i përhapjes së virusit, ende nuk ka kaluar dhe situata po bëhet çdo ditë e më serioze”, ka thënë sonte, në emër të shtabit komunal emergjent, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Përndryshe, gjendja me COVID-19 në Malishevë, është 78 të prekur, prej tyre 76 të shëruar, një rast aktiv dhe një rast ka përfunduar me vdekje.