15:02 / E Premte, 28 Shtator 2018 / indeksADMonline

Shënohet Java Ndërkombëtare e Personave të Shurdhër, premtohet mbështetje

Shoqata e të Shurdhëve në Prishtinë shënoi ditën dhe javën ndërkombëtare të personave të shurdhër.

Çdo vit, nga data 23-30 Shtator shënohet java ndërkombëtare e personave të shurdhër, ku brenda një jave bëhet avokimi global për të rritur ndërgjegjësimin për Komunitetin e shurdhër, gjuhën e shenjave dhe të drejtat e personave të shurdhër, transmeton Indeksonline.

Në këto ditë, ky Komunitet tenton të promovojë gjuhën e shenjave si parakusht kritik drejt realizimit të plotë të të drejtave të njeriut për personat e shurdhër dhe për të nxjerrë në pah temat që meritojnë vëmendjen.

Në këtë ngjarje morri pjesë edhe Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Mirëqenies Sociale e cila me Koordinatorin për Projekte dhe Aktivitete, Premtim Fazliu, i cili në fjalën e tij të rastit shprehu vullnetin dhe interesimin e Drejtorisë përkatëse se përkrah të tilla organizime, veçanërisht kur bëhet fjalë për të tilla Komunitete.

Sipas tij,  ngritja e ndërgjegjësimit kolektiv është njëri prej parimeve bazë që çon drejt realizimit dhe respektimit të të drejtave elementare të njeriut, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përkitazi me këtë, Drejtoria e Mirëqenies Sociale brenda mundësive dhe kapaciteteve të saj, do të punojë në funksion të përmbushjes të të gjitha nevojave për Komunitetin e Shurdhër dhe jo vetëm.

Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës është dakorduar që aktivitetet dhe angazhimet Drejtori-Shoqatë t’i koordinojnë së bashku, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më produktive./Indeksonline/.