08:25 / E Premte, 16 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Sherifi: Hashim Thaçi thuajse na u përgjërua që të shkonim në koalicion me PDK-në

Deputeti i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në RTV Dukagjin ka folur lidhur me zhvillimet në vitin 2014, atëherë kur u tentua të formohet koalicioni VLAN (Vetëvendosje, LDK, AAK, Nisma) për rrëzimin e PDK-së nga pushteti.

Ai tha se Nisma në këtë kohë e ka dhënë kontributin për ndryshim, por LDK-ja u tërhoq.

Pasi koalicioni VLAN nuk vazhdoi, Sherifi tha se kanë pasur 100 telefonata e 100 lutje nga kryetari i atëhershëm i PDK-së, Hashim Thaçi për të hy në koalicion me ta.

“Ai nuk ka pas dëshirë të komunikojë me neve sepse ka mendu që s’po e kalojmë pragun, ka luftu që mos me kalu pragun, është angazhu mos me kalu pragun, por ne e kaluam pragun. Po flas prej momenti që e kaluam pragun, ai jo që ka pas interesim, po pothuajse përgjërim sepse vetëm ne e bënim kryeministër, ia vazhdonim mandatin”, tha Sherifi.

Sipas tij, në çdo variant tjetër ai e humbiste kryeministrin, pasi postin e kreut të ekzekutivit e kërkonte edhe Ramush Haradinaj edhe Isa Mustafa.

“Nga ky kontekst kur analizojmë kontributi i Nismës ka qenë për ndryshim. Nuk qe e thënë të bëhet për faktin që LDK shkoj… Nuk do ta gjykojë, as t’i jap të drejtë…”, tha ndër të tjera, deputeti i Nismës, Bilall Sherifi.