19:24 / E Hënë, 04 Maj 2020 / indeksADMonline

Sheshet e rrugët në Ferizaj sot u mbushën plot, Aliu ka një apel për qytetarët

Shumica e komunave në Kosovë, tashmë kanë dalë nga karantina. Derisa sot, nisi edhe lehtësimi i masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

Qytetarët nga sot kanë të drejtë lëvizjeje në 3 orë në ditë, me të drejtë daljeje në dy pjesë të ditës. Ndërsa u hapën edhe disa biznese.

Kjo bëri që të krijohen edhe tollovi të mëdha në qytete, në kohën kur ende bëhet thirrje për izolim e distancim social, transmeton Indeksonline.

Edhe Ferizaji, duket se sot u stërmbush nga qytetarët. Në lidhje me këtë ka reaguar, edhe kryetari i kësaj komune, Agim Aliu.

“Bashkëqytetarë! Karantina u hoq, por jo edhe masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19!

Sheshet plot, rrugët me qarkullim të shtuar të veturave, shetitjet me bicikleta, daljet e panevojshme rrezikojnë një shpërthim të ri masiv të virusit mes nesh.

Ju lutemi, mos e ktheni në zero përpjekjen e profesionistëve, ekipeve emergjente që ta kalojmë pa pasoja fatale këtë pandemi”, ka shkruar ai.

Tutje ai bën apel edhe për respektimin e orarit të qarkullimit, por edhe për distancë fizike.

“Respektoni orarin e qarkullimit sipas ndarjes kohore në bazë të numrit personal në letërnjoftim, mbani distancën fizike e kujdesin për higjienën personale, mos lejoni që Ferizaj tash kur është në majën e komunave me numrin më të lartë të të shëruarve të kthehet në burim masiv infeksioni nga ky virus.

Kjo lutje është për ju, për ne, që e mundëm e po e mundim çdo ditë valën shkatërruese njerëzore e ekonomike që bart ky virus.

Para se të hedhësh hapin jashtë shtëpisë, ki mendjen tek familja, tek rreziku që i kërcënon nga çdo dalje e panevojshme”./Indeksonline