75 Mall Live Search
14:53 / E Hënë, 13 Korrik 2026 / AR

Shfaqja ‘Nën hijen e një peme…’ prezantohet në Cividale del Friuli, Itali

Shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, e cila deri më tani ka marrë vlerësime të shumta pozitive nga kritika ndërkombëtare, do të prezantohet më 19 korrik 2026, në orën 19:30, në Teatro Ristori, Cividale del Friuli, Itali, si pjesë e festivalit prestigjioz Mittelfest, një festival ndërkombëtar i arteve performuese që mbledh së bashku teatrin, muzikën, vallëzimin dhe krijimtarinë bashkëkohore nga Evropa Qendrore dhe më gjerë.

Në këtë produksion luajnë aktorët e njohur Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca, Amernis Nokshiqi, së bashku me një ansambël artistësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut. Shfaqja është me regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt.

Produksioni është vlerësuar lart nga mediat ndërkombëtare. Deutschlandfunk Kultur nga Gjermania e ka cilësuar si “një produksion të rëndësishëm” me “energji dhe humor të shkëlqyer”, duke vënë në pah ndërthurjen e përvojave historike dhe artistike mes Kosovës dhe Afrikës së Jugut.

Duke u mbështetur në materiale arkivore dhe në dëshmi të mbledhura, artistë nga Afrika e Jugut dhe Evropa sjellin në dialog përvojat dhe mësimet e dy proceseve historike të pajtimit: Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë të vitit 1990 dhe Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut, të themeluar në vitin 1995.

Me humor dhe një performancë të fuqishme e depërtuese, trupa e jashtëzakonshme e artistëve ju çon në zemër të një procesi pajtimi, duke pasqyruar dhimbjen e viktimave kur përballen me ata që kanë kryer krime e mizori, ndërsa zbulon mënyrën se si sistemet e dhunës i dëmtojnë dhe i copëtojnë brezat.

Rezultati është një udhëtim prekës, i guximshëm dhe estetikisht i pasur përmes kompleksitetit të përpjekjeve kombëtare për shërim dhe pajtim.

Pas prezantimit në Afrikën e Jugut në prill të vitit 2026, shfaqja do të vijojë turneun e saj evropian gjatë vitit 2026, për t’u prezantuar më pas edhe në Nju Jork, në vjeshtën e vitit 2027.

Linku: https://qendra.org/shfaqja-nen-hijen-e-nje-peme-prezantohet-ne-cividale-del-friuli-itali/