10:21 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Shfrytëzuan tragjedinë për hajni, çifti shqiptar, që vodhi ndihmat dikur shëtiste, në New York

Pak ditë më parë, u zbulua skandali i vjedhjes së ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti nga Altin Zekja, shef i seksionit të rendit në Komisariatin e Rinasit dhe bashkëshortja e tij, Valbona Zekaj, pedagoge në Akademinë e Mbrojtjes.

Ata u vunë nën hetim pasi u akuzuan për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore – rreth 18 –  dhe shtatë batanijesh.

Sipas komandantit të skuadrës në seksionin e rendit në Komisariatin e Rinasit, Ervin Haxhillari, gjithashtu i arrestuar, që pranoi të bashkëpunonte me policinë, pedagogia Valbona Zekaj i siguronte ndihmat përmes një mikeshe dhe më pas ia kalonte bashkëshortit të saj. Altin Zekaj urdhëronte Haxhillarin t’i dërgonte pakot në shtëpinë e prindërve të Valbonës, ku jetonte edhe vëllai i saj, Alban Taulla, po ashtu i arrestuar.

Pasi skandali u bë publik, filloi të qarkullonte kjo foto e çiftit, ku vihen re në New York. Në dorë, pedagogia mban një çantë Louis Vuitton, çmimi i të cilës i tejkalon tre shifra në euro. Fare mirë mund të jetë imitim, por kush përballon një udhëtim për dy në New York, mund të përballojë dhe një çantë luksi.

Lexuesit e lajmeve të shumta për çiftin Zekaj nuk harruan të nxirrnin në pah gjithë ironinë e situatës. Këta njerëz, që supozohet të jenë shembuj për të tjerët, shef dhe pedagoge, që supozohet të mësojnë dhe udhëheqin brezat e rinj, janë të parët që vjedhin në moment vështirësie dhe demonstrojnë ç’motive të korruptuara kanë pas veprimeve që bëjnë.