08:21 / E Mërkurë, 09 Nëntor 2022 / B O

Shitja e Liverpool, FSG synon 3.7 miliardë paund

Pronarët amerikan të Liverpool e kanë nxjerrë klubin nga Premier League në shitje për një shifër rreth 3.7 miliardë paund, raporton gazeta britanike “The Sun”.

Kompania “FSG”, e bleu Liverpool-in para 12 vitesh për një shumë 300 milionë paund nga George Gillett dhe Tom Hicks.

“FSG” mbërriti në “Anfield”, kur skuadra ishte shumë larg nivelit që është sot, me Roy Hodgson në krye dhe 20 vite pa fituar titullin në Premier League.

Ata fillimisht shkarkuan Hodgson, duke e zëvendësuar me legjendën e klubit, Kenny Dalglish. Ndërsa, investuan 60 milionë euro për të sjellë dy emra si Luis Suarez dhe Andy Carroll.

“FSG” fituan trofeun e tyre të parë në krye të të kuqëve në vitin 2012, kur ata mposhtën Cardiff-in për të fituar Kupën e Ligës.

Brendan Rodgers më pas zëvendësoi Dalglish-in dhe do të ishte shumë afër fitimit të titullit të Premier League në 2014.

Në tetor të vitit të 2015 filloi revolucioni i vërtetë të Liverpool. Pesë vjet pas ardhjes së “FSG”, ata e bindën ish-trajnerin e Borussia Dortmund-it, Jurgen Klopp, të zëvendësonte Rodgers në “Anfield”.

Michael Edwards u promovua në rolin e drejtorit sportiv vitin e ardhshëm dhe së bashku me Klopp do të ndërtonin një makinë fituese.

Në vitin 2016, shitjet e Christian Benteke, Jordon Ibe, Joe Allen dhe Martin Skrtel financuan lëvizjet për lojtarët kryesorë të ardhshëm Sadio Mane, Georginio Wijnaldum dhe Joel Matip.

Sezoni në vijim doli të ishte edhe më i frytshëm, me shitjen prej 135 milionë paund në mes të sezonit të Philippe Coutinho-s duke paguar për mbrojtësin Virgil van Dijk.

Me Mohamed Salah dhe Andy Robertson që kishin ardhur përpara atij sezoni, dhe Alisson me Fabinho pas asaj vere, makina fituese e Liverpool ishte pothuajse e kompletuar.

Klopp më pas do të frymëzonte grupin e tij të ri, duke fituar Champions League në 2019 dhe Premier League në 2020. Titullin e tyre të parë në ligë në 30 vjet.

Suksesi i Liverpool-it në fushë, skuadra e talentuar dhe rinovimi i kontratës me Klopp i bëjnë “Reds” një propozim tepër tërheqës për blerësit e mundshëm.

Rizhvillimi i “Anfield” do të përfundojë deri në fillimin e sezonit të ardhshëm, me kapacitetin e tij që do të rritet në 61 mijë vende.

“Reds” gjithashtu u zhvendosën në bazën e tyre të re stërvitore prej 50 milionë paundësh në Kirkby vitin e kaluar, duke lënë në proces ish-bazën ikonë “Melwood”.

Sipas revistës prestigjoze amerikane “Forbes”, Liverpool konsiderohet të ketë një vlerë prej 3.85 milionë paundësh.

Mes atyre që thuhet se janë të interesuar për blerjen e Liverpool-it janë familja Ricketts, pronarët e Chicago Cubs që u përpoqën të blinin Chelsea-n në fillim të këtij viti.