19:45 / E Shtunë, 30 Maj 2020 / indeksADMonline

Shiu nuk mbush Badovcin, verës do të ketë reduktime

-10.41 metra ka rënë niveli i ujit në liqenin e Badovcit, çka do të bëjë që nga mesi i këtij viti gjatë natës do të nisin reduktimet e ujit të pijes.

Ky është paralajmërimi që ka dhënë drejtori i Ujësjellësit regjional “Prishtina”, Sokol Xhafa.

Banorët që jetojnë në afërsi thonë se rënie të tillë të nivelit të ujit për 10 metra e më tepër nuk pati për më shumë se 20 vjet.

Kur në Badovc nuk ka ujë vuajnë prishtinasit që furnizohemi nga ky liqen.

Reduktimet për banorët e kryeqytetit pritet të nisin së shpejti.

“Asnjëherë në muajin maj nuk ka qenë më keq Liqeni i Badovcit. Kur jemi këtu kjo nënkupton që pjesa vijuese e vitit nuk është se premton shumë për vazhdueshmëri të furnizimit me ujë. Por kjo nuk do të thotë që në muajt në vijim, edhe qershorin besoj do ta kalojmë me 24 orësh, por pjesa tjetër e vitit sigurisht do të fillojmë me reduktime të furnizimit me ujë. Ne do të mundohemi që reduktimet t’i bëjmë në pjesën e natës, atëherë kur konsumi është minimal”, tha Xhafa për Klan Kosovën.

Në rast se Badovci nuk mbushet dhe për pasojë ka situatë emergjente duhet gjetur alternativat e furnizimit që nuk mungojnë. Por për t’i funksionalizuar ato duhen para, që tash për tash nuk po gjenerohen mirë.

Pavarësisht se pati reshje pranverore ato nuk ishin të mjaftueshme për të mbushur liqenin.

Nga ujësjellësi thanë se rëniet e nivelit të ujit deri në 7 metra nën nivelin maksimal ka edhe në Liqenin e Batllavës.