75 Mall Live Search
12:37 / E Enjte, 18 Qershor 2026 / AR

SHKA “Zahir Pajaziti” nga Podujeva fiton dy çmime në Festivalin “Eshkë e Ndezur mbi Shkëlzen” në Deçan

Shoqëria Kulturo-Artistike “Zahir Pajaziti” nga Podujeva ka shënuar një tjetër sukses në skenën e folklorit shqiptar, duke u shpërblyer me dy çmime në Festivalin Gjithëkombëtar të Folklorit “Eshkë e Ndezur mbi Shkëlzen” – Deçan 2026.

Në mesin e shumë ansambleve pjesëmarrëse, SHKA “Zahir Pajaziti” u vlerësua me Vendin e Dytë, duke dëshmuar nivelin e lartë artistik, përkushtimin dhe punën e palodhshme në ruajtjen e traditës dhe vlerave tona kombëtare.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm shkoi për këngëtarin Behxhet Zeka, i cili fitoi çmimin “Këngëtari më i Mirë”, për interpretimin e tij të veçantë dhe kontributin në kultivimin e këngës burimore shqiptare.

Kryetari i SHKA “Zahir Pajaziti”, z. Faton Blakqori, u shpreh krenar për këtë sukses, duke theksuar se këto çmime janë rezultat i angazhimit të përbashkët të valltarëve, këngëtarëve, instrumentistëve, koreografëve dhe gjithë ekipit që punojnë me përkushtim për ta mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare.

Nga SHKA “Zahir Pajaziti” kanë falënderuar organizatorët, jurinë dhe publikun e Deçanit për vlerësimin dhe mikpritjen.

Dy çmime nga Deçani kthehen në Podujevë, si dëshmi e punës dhe suksesit të vazhdueshëm të SHKA “Zahir Pajaziti” në promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare.