15:28 / E Martë, 10 Shtator 2019 / indeksADMonline

Shkelin rregullat e qëndrimit në BE, riatdhesohen 104 shqiptarë

Një tjetër operacion riatdhesimi i shtetasve shqiptarë, që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen, është finalizuar ditën e sotme në bashkëpunim me Francën, Belgjikën dhe Gjermaninë.

Mesditën e sotme nëpërmjet dy charterave nga Franca dhe Gjermania, në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian organizuar nga Franca, Belgjika dhe Gjermania në bashkëpunim me FRONTEX, si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 104 shtetas shqiptarë, nga të cilët: 15 shtetas nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 84 nga Gjermania.

Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë javët e ardhshme dhe në këtë kontekst, Policia e Shtetit së Shqipërisë apelon edhe një herë të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Shëngen, si dhe të mos provojnë të kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

Në pikat e kalimit kufitar, Policia Kufitare do të vijojë të aplikojë masat shtesë të marra për parandalimin e azil-kërkimit, duke vijuar me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.