11:16 / E Shtunë, 09 Nëntor 2019

Shkelja e ligjit bëhet “traditë”, shërbyesit civilë nuk munguan as në fushatën e fundit

Takimet e tubimet elektorale jo rrallëherë po “përkrahen” edhe nga shërbyesit civilë. Pjesëmarrja e tyre po vazhdon të jetë evidente qoftë në fushata lokale, por edhe ato për zgjedhje të përgjithshme.

Nuk ishte ndryshe as kësaj here në fushatën për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke pasur kështu një “traditë” të shkeljes së ligjit nga ana e shërbyesve civilë.

Monitorues të këtyre proceseve po thonë se prezenca e shërbyesve civilë në fushata të caktuara zgjedhore është para se gjithash shkelje e Ligjit të Punës, por edhe atij të Zgjedhjeve të Përgjithshme.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se pjesëmarrja e shërbyesve civilë në fushata elektorale, ka të bëjë me tendencën e subjekteve politike që të kenë numër sa më të madh të njerëzve në salla. Ndërkohë shton se “Demokracia në Veprim”, ka konstatuar prezencën e shërbyesve civilë në çdo zgjedhje.

 “Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme e ndalon përfshirjen e shërbyesve civilë dhe aseteve civile, që nënkupton asetet publike, të përfshihen në fushata zgjedhore. Tendenca është e vazhdueshme që shërbyesit civilë të marrin pjesë në fushatë edhe ‘Demokraci në Veprim’ në çdo zgjedhje ka konstatuar prezencën e shërbyesve civilë. Edhe në zgjedhjet e fundit kemi konstatuar që ka pasur pjesëmarrje të shërbyesve civilë në fushata zgjedhore”, thotë Spahija.

Sa herë që konstatohet një shkelje e tillë, Spahija konsideron se drejtorët e divizioneve të caktuara duhet të marrin vendime për shkeljet e Ligjit të Zgjedhjeve, e po ashtu edhe atij të Punës.

 “Konsideroj që fillimisht është shkelje e marrëdhënieve të punës, e dyta është shkelje e Ligjit të Punës, dhe e treta do të kishte qenë mirë që subjektet politike ta tregojnë një respekt më të madh sa i përket shërbimit civil, edhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme duke mos i angazhuar shërbyesit civilë në fushatë. KQZ çka është e rëndësishme e ka marrë një vendim që pas orës 17:00 mund të përfshihen disa persona, por gjithsesi prapë konsideroj që është më etike mos me marrë pjesë në fushatë shërbyesit civilë”, shtoi Spahija.

Përfshirja e shërbyesve civilë në fushata zgjedhore, drejtori ekzekutiv i “Çohu” Arton Demhasaj, konsideron se është politizim dhe defunksionalizim i Administratës Publike.

 “Konsideroj që është e padrejtë, se shërbyesit civilë nuk bën assesi të involvohen në proceset zgjedhore dhe as të ekspozohen politikisht. Për arsye se pastaj kjo po krijon atë tendencën e politizimit të Administratës Publike, e njëkohësisht po shkakton edhe telashe në funksionim të shërbyesve civilë. Në momentin kur shërbyesit civilë në vend se me qenë në vendin e tyre të punës, ata po vazhdojnë me u end nëpër fushata parazgjedhore të partive politike. Përveç se po e politizojnë Administratën Publike, njëkohësisht edhe po e defunksionalizojnë në kohën sa po ka fushata”, deklaron Demhasaj.

Edhe Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike deklaron për se Administrata Publike në Kosovë është e politizuar, dhe se sipas saj në raste të caktuara shërbyesit civilë po shfrytëzohen për të mbushur sallat. Për çka Loxha thotë se duhet të gjobiten partitë e caktuara politike.

 “Gjatë fushatave zgjedhore, të disa palë zgjedhjeve që janë organizuar në Republikën e Kosovës, një prej parregullsive që është identifikuar prej monitoruesve si vendorë edhe ndërkombëtarë, është pjesëmarrja e shërbyesve civilë në tubimet e partive politike. Kjo parregullsi është evidentuar edhe në zgjedhjet që sapo kemi mbajtur më 6 tetor dhe konsiderojmë që është në kundërshtim me ligjin në fuqi. Institucionet kompetente duhet të ndërmarrin masa për të adresuar dhe për të gjobitur partitë ose palët kompetente”, tregon Loxha.

Ndërsa Ministria e Administratës Publike bën të ditur se zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhjet qendrore ose lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës.

“Pezullimi përfundon pesë (5) ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës. Të gjithë zyrtarët publikë të cilët shfrytëzojnë të drejtat e tyre sipas Pikës 1 dhe 2 duhet të dorëzojnë pezullimin e vendit të punës në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, ku ata punojnë, me qëllim që njoftimin për pezullim ta përcjellin tek Divizioni i Pagesave në Ministrinë e Financave”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Administratës Publike.

Në bazë të drejtave politike të zyrtarëve publikë, në këtë përgjigje të MAP-it, mes tjerash thuhet se në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës.