10:49 / E Premte, 29 Janar 2021 / B O

Shkencëtarët izraelitë zbulojnë “thembrën e Akilit” të qelizave kancerogjene

Një ekip studiuesish të udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin e Tel Avivit, thonë se mund të kenë rastisur në “thembrën e Akilit” të qelizave kancerogjene. Këto mund të çojnë në të ardhmen në zhvillimin e një grupi krejtësisht të ri të ilaçeve dhe trajtimeve të kancerit.

Doktor Uri Ben-David i Fakultetit të Mjekësisë Sackler në Tel-Aviv, i cili ka drejtuar kërkimin, ka thënë për “The Media Line” se, “shkencëtarët kanë ditur për më shumë se një shekull që qelizat malinje kanë një numër anormal të kromozomeve”.

Njerëzit kanë 46 kromozome (dy grupe me 23), por në kancer ky numër ndryshon, sepse gjatë ndarjes qelizore, bëhet ndarja e kromozomeve që mund të çojë në një fenomen të quajtur aneuploid.

Aneuploidia, prania e një numri anormal të kromozomeve në një qelizë, jo vetëm që shkakton çrregullime të zakonshme gjenetike, por është gjithashtu një shenjë dalluese e qelizave kancerogjene.

Jo të gjithë kanceret shfaqin aneuploidi, por afërsish 90 për qind e tumoreve të ngurta dhe 75 për qind e kacereve të gjakut shfaqin në një shkallë të caktuar.

Sipas Ben-Davidit, zbulimet hapin një rrugë krejtësisht të re për kërkimet mjekësore.

“Për dekada, ne jemi përpjekur të kuptojmë pse (aneuploidia) ndodh në kancer dhe si kontribuon në formimin dhe përparimin e tumorit”, tha Ben-Davidi.

“Më e rëndësishmja”, shtoi doktori, “shkencëtarët janë përpjekur të shohin nëse mund të përfitojmë nga ky ndryshim mjaft unik midis qelizave të kancerit dhe qelizave normale, që të vrasim në mënyrë selektive qelizat e kancerit”.

Studimi, i cili u botua në revistën shkencore “Nature”, u krye në laboratorin e Ben-Davidit në Universitetin e Tel-Avivit në bashkëpunim me gjashtë laboratorë në katër vende të tjera: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda dhe Italia.

“Vizioni i përgjithshëm këtu është që duke kuptuar se si qelizat aneuploide janë të ndryshme nga qelizat normale, dhe duke zbuluar ‘thembrën e Akilit’ të qelizave aneuploide, kjo mund të jetë një mënyrë shumë tërheqëse për të vrarë në mënyrë selektive qelizat e kancerit”, tha Ben-Davidi.