07:33 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / MSH

Shkodra për operacionin në veri: Partnerët ndërkombëtarë s’mund të thonë se s’kanë qenë të informuar

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Selam Shkodra thotë se për aksionin në veri institucionet e vendit janë në të drejtën e tyre, por do të duhej edhe një konsultim me partnerët ndërkombëtar.

“Mendoj se institucionet e vendit janë në të drejtën e tyre dhe në zbatimin e ligjit, por çështja e cila duhet të shtrohet është se a do të duhej të konsultoheshin akoma me partnerët tanë ndërkombëtarë, mendoj që do të duhej të konsultoheshin dhe informoheshin”, tha ai.

Shkodra tutje tha partnerët ndërkombëtarë nuk mund të thonë se kanë qenë plotësisht të painformuar se një operacion i tillë mund të ndodh.

“Të njëjtit (partnerët ndërkombëtar) do të duhej të bëheshin pjesë e këtij procesi, por të njëjtit nuk do të mund të thonë se nuk kanë qenë të informuar për veprimet e tilla sepse qeveria në vazhdimësi ka paralajmëruar se pas skadimit të këtij afati do të fillojë zbatimin e rregullores, dhe e njëjta do të fillojë të ndërmarrë veprime”, u shpreh ai në Edicionin Special në KlanKosova.