16:29 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shkolla Fillore në Prishtinë që bën diskriminim për festën e 28 nëntorit

Në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë, jo të gjithë fëmijët lejohen të festojnë ‘28 Nëntorin’. Shkolla ka organizuar shënimin e festës, por asaj i janë gëzuar vetëm nxënësit që kishin fatin të përzgjidhen nga mësimdhënësit të marrin pjesë në program. Në shkollën ‘7 Marsi’ në Prishtinë, drejtoria e shkollës ka urdhëruar mësimdhënësit t’u thonë fëmijëve që nuk janë pjesë e programit të shkojnë në shtëpi, duke ua mohuar pa të drejtë të festojnë së bashku.

Nxënësit nuk e kanë pasur mundësinë të shikojnë shokët apo shoqet e tyre duke kënduar apo recituar, por ketë të drejtë e kishin vetëm arsimtarët. Për këtë kontaktuar kryetarin e Këshillit Drejtues të Shkollës,  Bekim Morina, i cili shpreh pakënaqësi ndaj drejtoreshës së shkollës, e cila e tejkalon Këshillin Drejtues dhe nuk e fton fare të marrë pjesë, edhe pse në Këshill miratohen aktivitetet ekstrakurrikulare të shkollës.

“Pasi kam marrë ankesa nga shumë prindër, të cilët janë revoltuar me diskriminimin që po u bëhet fëmijëve, kam tentuar të marr në telefon drejtoreshën e shkollës, por nuk e ka hapur telefonin e zyrës, pasi ka qenë duke u marrë me përgatitjet e programit diskriminues për fëmijët, për mendimin tim. Në telefon e mora koordinatorin e cilësisë së shkollës, të cilit ia shpreha pakënaqësitë e prindërve, nxënësve dhe kërkova që t’ia përcjellë këto pakënaqësi drejtoreshës. Koordinatori i shkollës u arsyetua se këtë formë e kanë zgjedhur për shkak të kushteve, konkretisht mungesës së zërimit. Unë mendoj se arsyetimet janë të pa bazë, sepse shkolla tashmë e ka sallën shumë të mirë, e cila i plotëson të gjitha kushtet për të organizuar programe kulturore dhe festive. Sa i përket zërimit, shkolla është dashur që ta njoftojë Këshillin Drejtues më herët dhe të shikohet mundësia si të sigurohet.

Që të trajtojmë njëjtë të gjithë nxënësit dhe mos t’ua mohojmë të festojnë së bashku kërkova që programi të mbahet në sallë ose në klasa, sepse ata nxënës të gjithë kanë të drejtë të festojnë, apo të mos mbahet fare, por drejtuesit e shkollës injoruan zërin e prindërve dhe nxënësve. Duke marrë vazhdimisht ankesa nga prindërit, vendosa të shkoj në shkollë, të takoj drejtoreshën, të cilën u mundova ta bind se janë duke u shkelur të drejtat e fëmijëve, por insistimi i saj ishte se nuk është duke u shkelur asnjë e drejtë dhe arsyeja e vetme ishte se nuk ka kushte të organizohet ndryshe. Për më keç, në disa klasë mbahej mësimi, ndërsa në korridor tentohej të festohej”, theksoi Morina.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e shkollës “7 Marsi” Shpresa Çitaku e cila përmes telefonit e ka mohuar një gjë të tillë. “Absulutisht kjo nuk është e vërtetë ne nuk kemi bërë këtë lloj diskriminimi pasiqë të gjithë fëmijët kanë mundur të marrin pjesë në program por për shkak të hapsirave të pamjaftueshme ne kemi bërë organizime grupore të klasave ku secila klasë ka pasur shfaqje në një kohë të caktuar” e pyetur se a është koordinuar me këshillin drejtues të shkollës për të bërë një organizim më gjthpërfshirës ajo nuk na është përgjigjur në pyetje dhe ka mbyllur telefonin.

Gjatë kohës kur mbahej programi, kemi shkuar në shkollë dhe nga afër kemi parë se një numër i vogël i nxënësve ishin të pranishëm në korridorin e shkollës, vendi ku po mbahej programi. Aty krijohej zhurmë e madhe dhe nuk kishte kushte minimale për të shënuar ditën e ‘28 Nëntorit’.
Përveç, pakënaqësive së prindërve, kishte pakënaqësi të arsimtarëve dhe nxënësve, por të cilët nga frika e hakmarrjes nuk pranuan të prononcohen.