14:42 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

Shkrepen mbi 50 plumba në Banjë të Pejës, dyshohet se antena është “mollë sherri”

Një antenë e telefonisë mobile e vendosur në fshatin Banjë të Pejës, pa pëlqimin e banorëve të zonës, është bërë mollë sherri për këtë fshat.

Mbrëmë pas mesnatës, persona të panjohur dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të antenës mbi 50 herë.

Burimet e IndeksOnline kanë thënë se dje dhe sot ka pas gjuajtje me armë zjarri edhe shpërthim në Banjë të Pejës, konkretisht ndaj antenës së IPKO-s.

“Ka pas edhe bastisje. Ka qenë edhe një peticion që mos të vendoset antena në atë lokacion, shkaku që valët e saj mund të shkaktojnë kundër efekt”, ka thënë një burim i IndeksOnline.

IndeksOnline mëson se antena është e vendosur rreth 300 metra larg spitalit special për Terapi Fizikale me Rehabilitim “Onix”.

Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet përkitazi me ngjarjen.

Nga vendi i ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar mbi 50 gëzhoja të plumbave ndërsa policia ka kapur dy persona si të dyshuar në lidhje me rastin./IndeksOnline/