18:31 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Shoferit të “kamionit të vdekjes” i ra të fikët kur pa kufomat e 39 emigrantëve

Shoferit të kamionit që kishte brenda 39 emigrantë kinezë të vdekur mendohet se i ka rënë të fikët kur hapi dyert dhe pa trupat e tyre.

Aktualisht, shoferi 25-vjeçar, Maurice Robinson po merret në pyetje nga policia pasi është i dyshuar për vrasjen e 39 personave.

Një shok i tij tha për Daily Mail se Robinson ndaloi në Essex për të marrë disa dokumente kur pa kufomat. Pasi telefonoi policinë, sipas shokut, atij i ra të fikët.

Kamioni në të cilin u gjetën 39 persona të vdekur ka arritur në Britani nga një traget mallrash i nisur nga Belgjika. Autoritetet britanike zbuluan se kamioni rezultonte i regjistruar në Bullgari, por kontenjeri ishte nisur nga porti i Zebruzh dhe kishte mbërritur në Britani në orët e para të së mërkurës. Deri tani për ngjarjen e rëndë është arrestuar vetëm drejtuesi i mjetit.

Viktima dyshohet se kanë ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulëta deri në -25 gradë brenda kamionit frigoriferik.