14:16 / E Premte, 20 Nëntor 2020 / OSH

Shoqata e Bankave të Kosovës: Gjendja për sektorin bankar alarmuese dhe po përkeqësohet vazhdimisht

Shoqata e Bankave të Kosovës përmes një komunikate për medie ka thënë se gjendja e sigurisë në vend për bizneset dhe në veçanti për sektorin bankar është alarmues dhe po përkeqësohet në vazhdimësi.

Sot është sulmuar një bankë komerciale në rrugën “B”, për të cilën ka raportuar IndeksOnline.

“Sot është sulmuar një nga bankat komerciale në Prishtinë përmes përdorimit të armëve të zjarrit dhe eksplozivit. Sektori bankar dënon këtë akt të ligë të kryer nga grupe kriminale të cilat nuk hezitojnë aspak që të përdorin mjete eksplozive dhe armë zjarri për të arritur qëllimet e tyre, qoftë edhe në lagjet dhe rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit. Kjo gjendje e sigurisë është e papranueshme, si për sektorin bankar ashtu edhe për komunitetin e bizneseve dhe për shoqërinë tonë”, thekson komunikata.

Sulmi është kryer në rrugën “B” ku përveç dëmeve të shkaktuara ndaj bankës dhe bizneseve përreth janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri kundrejt zyrtarëve të sigurisë dhe në drejtim të objekteve përreth duke rrezikuar edhe banorët e zonës. Muajin e kaluar një sulm i ngjashëm është kryer kundër një banke tjetër komerciale në Ferizaj me përmasa të ngjashme të dëmeve si dhe me shkallë të lartë të rrezikut.

Shoqata pas këtyre zhvillimeve i bën  thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë që të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri kundër këtyre grupeve të cilat kanë shpeshtuar sulmet dhe kanë rritur intensitetin dëmeve dhe shkallën e rrezikut për jetën dhe pronën.

“Shoqëria jonë nuk duhet të toleroj që të humbet siguria në vend dhe të terrorizohen bizneset dhe qytetarët nga banda kriminale kudo në Kosovë”, përfundon komunikata.