11:24 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / S Z

Shoqëria Civile kundër trajtimit të projektligjit për reforma zgjedhore me procedurë të shpejtë

Organizatat e Shoqërisë Civile përmes një letre dërguar deputëtëve të Kuvendit të Kosovës, e kanë kundërshtuar trajtimin e projektligjit për reforma zgjedhore me procedurë të përshpejtuar.

Sipas tyre, është në interes të publikut që i njëjti t’i nënshtrohet procedurave standarde të diskutimit dhe konsultimit me publikun e gjerë, sipas afateve optimale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

“Projektligji i ri për zgjedhjet, i cili pritet të shqyrtohet si pikë e vetme në seancën e parë të sotme, në njërën anë, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime të cilat besojmë që cenojnë integritetin zgjedhor, e në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do ta përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë. Disa nga ndryshimet më problematike të këtij projektligji kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve”, shkruan në komunikatën e KDI-së.