18:50 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

Shpaloset plani për reformimin e ATK-së

Sot është mbajtur takimi përmbyllës me përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN) dhe atyre të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), në të cilin është shpalosur Plani i Reformës së ATK-së për periudhën 2019-2021.

Në këtë takim, siç njofton ATK përmes një komunikatë për media, ishin prezent edhe përfaqësuesit e donatorëve të cilët mbështesin ATK-në.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, me këtë rast tha se aktivitetet e përbashkëta me FMN-në i kanë shërbyer që të njohin më mirë gjendjen e përgjithshme të përmbushjes tatimore, sfidat dhe pengesat, të caktojmë objektivat dhe prioritetet.

“…Pastaj të rendisim aktivitetet drejt funksionimit si një institucion modern, i avancuar, profesional dhe i krahasueshëm me administratat tatimore moderne. Ne emër të ATK-së falënderoj FMN-në dhe gjithë donatorët për kontributin e dhënë në progresin tonë”, citohet të ketë thënë Imeri.

ATK tutje në komunikatën e saj, thotë se bashkëpunimi dhe shfrytëzimi i përvojave dhe ekspertizave të ekspertëve të FMN-së dhe institucioneve tjera ka sjellë progres të vazhdueshëm në këtë administratë.

“Kjo ka ndodhur edhe gjatë këtyre ditëve, nga data 25 Korrik deri 7 Gusht 2018, me punën e përbashkët të ekipit të menaxhues të ATK-së dhe misionit të FMN-së.  Pikënisje për këtë reforme janë raportet dhe analizat që kanë qenë bazë e mirë për hartimin e një plani të veprimit për reforma 2019-2021: Anketa me tatimpagues për vitin 2017 (GIZ); Raporti “Doing Business” 2017/2018 (BB); Raporti diagnostikues TADAT për performancën ATK (FMN); Raporti monitorues i FMN-së; Raporti i Progresit (KE); Raporte të brendshme, analiza për të hyrat, shërbimet e TI dhe të arriturat tjera në ATK”, thuhet në komunikatën për media.

Aty bëhet e ditur se dokumenti që u prezantua sot, është një sfidë e veçantë e ATK-së për zhvillimet e ardhshme, është plani i një reforme të thellë, e cila do të jetë në interes edhe të Qeverisë së Kosovës dhe mbi të gjitha për tatimpaguesit.

Në takim ishin edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, GIZ dhe Ambasada e Britanisë së Madhe, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të përkrahur zbatimin e kësaj reforme.

FMN e ka mbështetur ATK-në që nga themelimi i saj në zhvillimin dhe implementimin e shumë projekteve, të cilat kanë ndihmuar realizimin e objektivave të administratës tatimore.