20:21 / E Hënë, 12 Mars 2018 / indeksADMonline

Shpend Maxhuni takohet me drejtorin e Policisë së Shqipërisë, ja çka diskutuan!

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së), Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga stafi i lartë i tij, sot ka pritur në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë , Ardi Veliun,  po ashtu i shoqëruar edhe nga zyrtar të lartë policor të shtetit.

Në këtë takim i cili është  realizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Shpend Maxhuni fillimisht ka falënderuar  Veliun për vizitën e tij dhe njëkohësisht  i ka uruar  të njëjtit detyrën e tij në krye të Policisë së shtetit.

Maxhuni i ka njoftuar të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës si dhe përkushtimin e vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.

PK përmes një komunikate thotë se,  ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Gjithashtu është  veçuar  se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyer me autoritet policore të Shqipërisë, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta policore.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shqipërisë  Veliu ka falënderuar  Maxhunin  për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet policore të Shqipërisë.

Po ashtu edhe drejtori Veliu konfirmoi se do ti kushtoi rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët policor, duke përfshirë edhe lehtësimin e kalimit kufitar.

Gjatë takimit u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave policore përmes zyrtarëve policor, trajnimeve në fusha të ndryshme me qëllim të avancimit të mëtejmë të të dy policive, e që kanë synime të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë atë trans kufitar./Indeksonline/