12:35 / E Diele, 22 Korrik 2018 / indeksADMonline

Shpenzimet milionëshe të bizneseve kosovare, çka do ndikojë liberalizimi?

Komisioni Evropian përmes raportit konfirmoi të mërkurën se Kosova i ka përmbushur dy kushtet e mbetura për heqjen e vizave, atë të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe vendosjen e një regjistri të dëshmive në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rekomandimi pozitiv po konsiderohet shpresë për komunitetin e biznesit, për shkak të barrierave që kanë për shkak regjimit të vizave. Njëkohësisht, heqja e vizave do të mundësoj që Marrëveshja e Stabilizimit Asocimit (MSA) të jetë e zbatueshme.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini shpreson se vitin e ardhshëm bizneset dhe qytetarët e Kosovës do të ju hapet perspektivë e re.

Ai për Indeksonline ka thënë se bizneset kanë shpenzuar miliona euro për shkak të izolimit të vendit.

“Shpresojmë që në vitin e ardhshëm bizneset dhe qytetarët e Kosovës do të ju hapet perspektivë e re që do te lëvizin lirshëm për biznes, studime, aktivitete kulturore dhe sportive, vizitat familjare por edhe shërbime shëndetësor për të cilat qytetarët kanë vuajtur për mungesë të vizave. Vendi jonë do t’i kursejnë mbi 20 milionë euro të shpenzuar në baza vjetore për t’i marrë vizat për biznese dhe qytetarë të ndryshëm e këto mjete financiare në të ardhmen mund të alokohen në drejtime të tjera”, ka thënë Shahini për Indeksonline.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Odës së Afarizmit, bizismeni Burim Piraj në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se me heqjen e vizave, MSA-ja do të jetë e zbatueshme për të dyja palët.

“Ka qenë shumë padrejtësi e madhe MSA-ja ( Marrëveshja për stabilizim asociim ) ku ky traktat parasheh qarkullimin e lirë të mallrave në etapa kurse nuk e përfshinë qarkullimin e lirë të njerëzve që është i një rëndësie thelbësore që traktati të jetë i plotë dhe i ekzekutueshëm, prandaj qarkullim të lirë të mallrash nuk mund të ketë pa qarkullim të lirë të njerëzve, nga momenti që do të futet në zbatim liberalizimi i vizave atëherë ne do të kemi një MSA të vërtetë dhe të zbatueshme nga te dyja palët. Normal që të bërit biznes me një vend është i pa mundur pa lëvizjen e lirë të biznesmenëve dhe liberalizimi do të jetë jo vetëm lehtësirë po edhe një mundësi më shumë për biznes më të shëndosh”, thuhet në përgjigjën e tij.

Piraj ka shtuar se shumë herë bizneset kanë dështuar të udhëtojnë në vendet e BE-së për të marrë pjesë në panaireve.

“Vazhdimisht ka pas ankesa dhe shpesh herë bizneset kanë dështuar të udhëtojnë në vendet e BE-së për të marr pjesë në panaire ose takime të ndryshme biznesi. Nuk është lehtë aspak të punohet në Kosovë dhe një biznesi i merr shumë kohë aplikimi për vizë duke filluar nga terminët shumë të gjata deri te përgatitja e dokumentacionit që me kohën numri i dokumenteve të nevojshme për një vizë biznesi është rritur shumë”, ka shtuar Piraj.

Në anën tjetër, Lulzim Beqiri, njohës i çështjeve ekonomike për Indeksonline ka thënë se rekomandimi pozitiv është lajm i mirë për bizneset dhe ekonominë e Kosovës, pasi do të ketë qasje në një treg prej më shumë se 500 milionë konsumatorësh.

“Me miratimin e vendimit për vizat biznesi kosovar do të ketë qasje në një treg prej më shumë se 500 milionë konsumatorësh, çka edhe do të rrisë mundësinë e investimeve të huaja, poashtu edhe krijim i vendeve të reja të punës. Me vetë faktin që bizneset kosovare kanë mundësi të eksportojnë produktet e tyre pa hasur në barriera të shumta dhe rrjedhimisht do të duhet të rrisin stafin e punës me ekspert të lëmive të ndryshme sepse të eksportosh në vendet e BE-së duhet shumë cilësi dhe seriozitet”, ka thënë Beqiri.

Ai ka shtuar se kjo mund të këtë edhe pasoja në sektorin privat, pasi ka një trend të ikjes massive të punëtorëve për në vendet e BE-së.

“Në anën tjetër, liberalizimi i vizave mund të shkaktoj krizë në sektorin privat, siç dihet kohëve të fundit është një trend i ikjeve masive të punëtorëve kosovar për në vendet e BE-së, kushtet e punës, të ardhurat dhe përspektiva kanë ndikuar që punëtoret kosovar të ikin nga ky vend. Ajo çka parashoh si ekonomist është se fillimisht Kosova do të ketë krizë serioze për fuqi punëtore, tashmë veq sa ka filluar kriza në sektorin e ndërtimit..”, ka shtuar Beqiri.

Në anën tjetër, Mustafë Kadriaj, po ashtu njohës i sektorit të ekonomisë për Indeksonline është shprehur se si pasojë e regjimit të vizave, marrëveshja e CEFT-ës dhe MSA-së nuk ka gjetur zbatim të plotë.

“Edhe pse ishim pjesë e CEFTA-s, Kosovën e përcjellën problemet ne tregtinë ndërkombëtare duke u përballur me barriera nga vendet anëtare si Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe në momente të caktuara edhe Shqipëria dhe Maqedonia. Poashtu edhe me nënshkrimin e MSA-së nga ish kryeministri Isa Mustafa që atëherë u shpreh që prodhimeve kosovare po i hapet një treg prej 500 milionë banorë, por koha tregoi të kundërtën. Pra, importi po tregon trend të rritjes çdo vit, por dështimet e arsyetimi që në mungesë të liberalizimit të vizave bizneset kosovare po kanë probleme në qarkullimin në zonën ekonomike për shkak që drejtuesit e maunave po duhet të pajisen me viza”, ka shtuar ai.

Kadriaj liberalizimi i vizave do të ketë efekt pozitiv ekonomik, sidomos në tregtinë ndërkombëtare.

“Qytetarët e Kosovës nuk do kenë mundësi që të punojnë gjatë sepse edhe koha është e kufizuar për të qëndruar në zonën e Bashkimit Evropian. Por, shpresoj se do të këtë efekte pozitive në sektorin e ekonomisë e sidomos në tregtinë ndërkombëtare. Padyshim kjo do të këtë efekt pozitv ekonomik duke rritur eksportit qe tenton çdo shtet e ne si vend më së shumti sepse kemi një hendek të madh në mes të importit dhe eksportit”, ka shtuar ai. Kujtojmë që ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit ishin dy kushtet e fundit që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

Kujtojmë, se Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret, derisa ka theksuar se liberalizimi i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian./Indeksonline/