09:24 / E Martë, 05 Dhjetor 2023 / A. M.

Shpërfillet vendimi i BQK-së, autobusët urban s’i pranojnë as 2€ origjinale!

Shumë biznese në Kosovë janë duke hezituar të pranojnë monedha me shifrën “2 euro”. Kjo, pasi që vendi është mbushur monedha të falsifikuar.

Një veprim të tillë sot është rastisur edhe tek autobusët urban në Prishtinë. Ata kanë refuzuar nga udhëtarët të kryejnë pagesën me 2 euro.

Mirëpo, ky veprim bie ndesh me ligjet e vendit.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me disa udhëzime për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara në qarkullim.

BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës jep udhëzime shtesë për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara në qarkullim. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në vijim të komunikatës dhe udhëzimeve të datës 7 nëntor 2023, me qëllim të udhëzimeve shtesë dhe sqarimit të paqartësive të ngritura, njofton qytetarët dhe bizneset se të gjitha denominimet në Euro të kartëmonedhave dhe monedhave të vërteta (origjinal), pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Republikën e Kosovës. BQK duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën që të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike”, thuhet në komunikatën e BQK-së.