14:43 / E Hënë, 29 Tetor 2018 / indeksADMonline

Shpërthen gypi i kanalizimit në Emergjencë

Ka pak muaj që janë bërë investime për renovimin e objektit të Emergjencës, por gjatë pasdites së  sotme në korridorin e këtij objekti, ka shpërthyer gypi i kanalizimit.

Në kushte anonimiteti një punëtor i pastrimit ka treguar që pamja e objektit në mëngjes ka qenë e tmerrshme.

“Gypi i kanalizimit ka shpërthyer në mëngjes. Ka qenë tmerr i vërtetë e mos të flitet për aromën që ka kundërmuar. Menjëherë jemi munduar ta pastrojmë vendin. Kjo kurrë nuk ka ndodhur në Emergjencë. Është gjynah prej pacientëve”, tha ai.

Ndërsa, zyrtarë për media në SHSKUK nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj çështjeje.

Ndryshe, kohë më parë në Qendrën e Emergjencës në Prishtinë janë investuar 450 mijë euro. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë me këtë rast patën deklaruar se rinovimi i Emergjencës rrit shanset për mbijetesë të gjithsecilit që kërkon trajtim emergjent.