16:09 / E Enjte, 02 Dhjetor 2021 / OSH

Shpërthen një bombolë gazi në Prishtinë, lëndohet një grua – demolohet shtëpia

Një bombolë gazi ka shpërthyer në një shtëpi rreth orës 14:45 në rrugën“Shaip Kamberi” në Prishtinë.

Nga shpërthimi i bombolës e cila ka qenë e shfrytëzuar për nevoja familjare, ka marrë lëndime serioze një grua.

Rastin e ka konfirmuar për IndeksOnline, zëdhënësi i PK-së, Agron Borovci.

Ai bëri të ditur se janë shkaktuar edhe dëme të mëdha në dhomën ku ka shpërthyer bombola.

“Rreth orës 14:45, është marrë informata për një shpërthim në rrugën “Shaip Kamberi” në Prishtinë.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që shpërthimi ka ardhur nga një bombole gazi e shfrytëzuar për nevoja familjare.

Për pasojë një person ka pësuar lëndime dhe e njëjta është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Po ashtu janë shkaktuar edhe  dëme materiale në dhomën e shtëpisë ku ishte e vendosur bombola”, tha ai./IndeksOnline/