10:02 / E Enjte, 01 Shtator 2022 / k.v

Shqetësuese, rritet numri i dhunimeve i vajzave të mitura

Në Kosovë viteve të fundit është rritur numri i dhunimeve i vajzave të mitura e kjo po konsiderohet shqetësuese për shoqërinë. Psikologët dhe sociologët këtë fenomen po e shohin si pasojë e mos ligjeve të duhura, zbatimit të tij dhe mungesës se edukimit në familje dhe shkolla.Sipas disa raporteve të publikuar nga organizata të ndryshme në Kosovë, është dyfishuar numri i rasteve të përdhunimeve që janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë dy viteve të fundit. 

Në lidhje me këto raporte shqetësuese, psikologja, Marigona Sadiku, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se është momenti i fundit kur shoqëria dhe institucionet duhet të reagojnë. 

“Tani është periudha e fundit dhe koha e fundit ku ne si shoqëri duhet  të reflektojmë mbi këto raste që po ndodhin. Pothuajse se janë të përditshme. Kjo duhet të bëhet edhe përmes ligjeve që duhet  të bëhen brenda shtetit”, tha Sadiku.Po ashtu, Sadiku përmendi edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në këto raste siç është mungesa e edukimit të hershëm në familje dhe në shkolla. 

“Vetëdijesimi nuk vjen vetëm nga ligjet, vetëdijesimi vjen edhe nga familja. Në shoqërinë tonë me të vërtetë  është shqetësuese, sepse kemi një vetëdijesim shumë të zbehtë në familjet tona dhe edukimi vjen që nga familja dhe ne shpesh këtë e neglizhojmë, pastaj që nga shkolla në mënyrë që të mos ndodhin këto raste”, shtoi ajo.Edhe për sociologun, Ismail Hasani, janë disa faktorë zinxhir që ndikojnë.

”E keqja më e madhe që shoqërisë kosovare aktualisht po i ndodh është shprehje dhe rezultat i neglizhencës së familjes, sistemit shkollor dhe instancave të tjera. Dhe se  shkollat duhet të kenë prezencë të sociologëve”, tha ai.Rasti i fundit i përdhunimit i një të miture para disa  ditësh në Prishtinë, ka ngjallur reagimin e institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat kanë ngritur alarmin për numrin e lartë të dhunimeve ndaj vajzave, ku kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse zbatimin e ligjit.