75 Mall Live Search
16:02 / E Mërkurë, 20 Maj 2026 / Z S

Shqipe Mjekiqi i bashkohet ekipit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti

Profesoresha Shqipe Mjekiqi i është bashkuar ekipit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Kjo është bërë e ditur nga vetë zyra e kryeministrit përmes një njoftimi.

Siq thuhet në njoftim, në pritjen që i bëri kryeministri në detyrë Kurti, u diskutua mbi nevojat e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, të arriturat tona socio-ekonomike dhe vlerat demokratike, zhvillimet politike në vendin tonë e në rajon dhe situatën e sigurisë.

Më tutje thuhet se Shqipe Mjekiqi ka mbaruar studimet e doktoraturës në Shkenca Politike në Trinity College Dublin, Masterin në politikat e Bashkimit Evropian në London School of Economics dhe studimet bazë në Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.

 Ajo ka një përvojë të gjatë profesionale në institucionet publike të Republikës së Kosovës në fushën e integrimit evropian dhe çështjeve të sigurisë. Aktualisht është Profesor Asistent në Kolegjin UBT dhe e angazhuar si konsulente në projekte të ndryshme që lidhen me zhvillimin dhe proceset reformuese në vendin tonë.