19:27 / E Shtunë, 25 Maj 2024 / MSH

Shqipëria, destinacion turistik/ Media franceze: Peizazhi i bukur, me plazhe, histori e natyrë

Destinacioni më trend për të pushuar në Evropë gjatë verës.

Kështu e cilëson media franceze “Grazia” Shqipërinë.

Në artikull thuhet se Shqipëria është një alternativë më e lirë, por po aq e bukur sa Sardenja në Itali apo destinacionet e tjera të njohura italiane. Vendi është vetëm 2 orë e gjysmë larg Parisit dhe ka mundësi të pafundme për tu eksploruar.

Ky vend i bukur ka plazhe të imta me rërë, ujëra blu bruz, por edhe tarraca nga të cilat pamja ndalet pikërisht përballë dritave kërcyese të bregdetit Italian shkruan media franceze. Turistëve i sygjerohet Saranda e cila konsiderohet vendi ideal për pushime verore ku ndërthuren relaksi, festat e vogla dhe kënaqësitë e jetës.

Prandaj, ky qytet bregdetar është destinacioni i përsosur nëse vërtet dëshironi të harroni shqetësimet e jetës së përditshme.

Ndër të tjera  në këto troje ballkanike, gjejmë rrënoja që datojnë nga periudha e lashtë greke dhe romake, si dhe peizazhe të mbuluara me natyrë të gjelbër.

Rekomandohet që të vizitohet Gjirokastra me arkitekturën e saj që dallohet për bukurinë e shtëpive tipike ballkanike pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Mbresëlënës  cilësohet edhe kryeqyteti shqiptar ku rekomandohet një shëtitje në Malin e Gamtit në verilindje të Tiranës, ku mund të admironi pamjet panoramike të liqenit të Bovillës.