14:18 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

Shqipëria dhe Kosova vuajnë nga raportet personale të liderëve

Ramush Haradinaj dhe Edi Rama e nisën aq mirë raportin si kryeministra të dy shteteve shqiptare, saqë komuniteti ndërkombëtar filloi të shqetësohej. Madje, në mbledhjen e dy qeverive në vitin 20018 në Pejë, u fol edhe për bashkim kombëtar. Mirëpo e gjithë historia e tyre tashmë ka përfunduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku kryeministri shqiptar paditi atë të Kosovës për shpifje.

Nga mbledhja e qeverive në Pejë e deri të përplasja e fundit mes Ramës dhe Haradinajt kanë ndodhur shumë ngjarje të cilat acaruan raportin e dy kryeministrave, por që i njëjti u përkthye edhe në raport shtetëror.

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, në një intervistë për KP deklaroi se ky konflikt është nga ato raste tipike që raporti personal ndikon në marrëdhënien e dy vendeve.

Ai tha se raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës në dy dekadat e fundit janë raporte personale ku liderët nuk komunikojnë përmes institucioneve por e bëjnë direkt dhe kjo krijon mundësinë që kur raportet personale të dëmtohen, atëherë dëmtohen edhe ato shtetërore.

Për Krasniqin, marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Kosovës që kur vendi ynë shpalli pavarësinë, nuk kanë qenë më të dobëta sesa në këtë moment dhe kjo është përgjegjësi e dyanshme.

Pas padisë që Rama bëri ndaj Haradinajt, para pak ditësh pati edhe një replikë në distancë mes tyre nisur nga prezenca e kryeministrit kosovar në një emision në Shqipëri.

Pikërisht për llogoret që janë hapur nëpër studio televizive, Krasniqi tha se është investim në drejtim të gabuar dhe se po hedhim baltë mbi fytyrën tonë të cilën duhet kohë për ta hequr.

Sipas tij, nga kjo situatë po përfitojnë vetëm kundërshtarët tanë dhe humbës është populli shqiptar.

Analisti i njohur shqiptar ishte kritik edhe ndaj Tiranës zyrtare duke thënë se nuk duhet të shfrytëzohen konferencat rajonale e ndërkombëtare për të kritikuar Kosovën.

Sipas tij, Shqipëria duhet të marrë mësim nga viti 1997 dhe reagimi i liderëve shqiptarë të Kosovës pas takimit të kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Fatos Nano me Sllobodan Millosheviqin në Greqi, ku Tiranës i ishte kërkuar të mos marrë nisma ndërkombëtare në emër të Kosovës pa u konsultuar me Kosovën.

Duke u ndalur të i ashtuquajturi “Minishengen ballkanik”, Krasniqi tha se takimi në Durrës e Tiranë u dominua me kritika ndaj Kosovës.

Megjithëse theksoi se kjo nismë nuk ka të bëjë me tradhti siç u cilësua, ai tha se nuk janë të nevojshme nismat që mbivendosin prioritetet kombëtare dhe që i bëjnë dëm të dy shoqërive në Kosovë dhe Shqipëri.

Për vet “Minishengenin ballkanik”, ish-këshilltari i dy presidentëve shqiptarë tha se pret të jetë pa ndonjë produkt.