BE kërkon kompromis, thirrje për formim të shpejtë të institucioneve
Zyrtarët evropianë u kanë bërë thirrje politikëbërësve në Kosovë që të bëjnë kompromis, në mënyrë që të mundësohet formimi i institucioneve pas zgjedhjeve të së dielës.
Me reagime të veçanta dolën Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, si dhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas Kallas, zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin derën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti bllokimi politik. Ajo u bëri thirrje udhëheqësve politikë që tani të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë.
“Ne presim që udhëheqësit politikë të angazhohen tani në mënyrë konstruktive për të siguruar një formim të shpejtë të qeverisë. Ne gjithashtu nënvizojmë rëndësinë e progresit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që mbetet thelbësore për avancimin në rrugën evropiane të Kosovës”, tha zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
Kompromis nga liderët politikë kosovarë kërkoi edhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, duke theksuar se stabiliteti institucional është kyç për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Marta Kos gjithashtu shprehu gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin me Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes. Ajo paralajmëroi se do ta vizitojë sërish Kosovën, siç është shprehur, “sa më shpejt që të jetë e mundur”, për të intensifikuar punën për integrimin evropian të Kosovës dhe për të vazhduar angazhimin lidhur me financimin në kuadër të Planit të Rritjes.
Edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, u prononcua lidhur me zgjedhjet e mbajtura, duke vlerësuar se pjesëmarrja e ulët në votime tregon se qytetarët janë të frustruar nga kaosi politik.
“Bashkëpunimi ndërpartiak është i nevojshëm për ta rikthyer vendin në rrugën e duhur dhe për të ecur drejt kursit të Bashkimit Evropian”, ka porositur Terras.

