14:35 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / OSH

Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka pritur delegacionin e Komisionit të Jashtëm Parlamentar të Kosovës të kryesuar nga Time Kadriaj, ndërkohë në takim ishte dhe ambasadori kosovar, Nait Hasani.

Ruçi ka deklaruar se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, por s’mund të ketë një marrëveshje të suksesshme menjëherë. Ai thotë se me SHBA-ja dhe BE-ja asgjë s’është e pamundur dhe se rezultati përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellët midis dy vendeve.

Njoftimi nga Kuvendi

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës: Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e ShBA dhe BE

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të jashtëm të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja e këtij komisioni, znj. Time Kadriaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ndodhej edhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Nait Hasani.

Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve, i cili është strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike të vendeve tona. Partneritetin Strategjik e gjithëpërfshirës me Kosovën ta bëjmë një model për bashkëpunimin rajonal.

“Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-ja. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si edhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Shqipëria mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator 2020 nga kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq, në prani të presidentit të SHBA-së, Trump dhe e konsideron si një hap të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke midis dy vendeve. Ne vlerësojmë rolin dhe angazhimin e presidentit të SHBA-së dhe administratës së tij në avancimin dhe konsolidimin e procesit të paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes Evroatlantike të rajonit. Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. Në politikën e jashtme nuk mund të arrihet asnjëherë një fitore e plotë, e mënjëhershme”, nënvizoi kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Kryetarja e Komisionit…, znj. Time Kadrijaj, falënderoi kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për pritjen dhe vuri në dukje se “Mbështetja e Shqipërisë për Kosovën, e cila kurrë nuk ka munguar, është një inkurajim i madh për institucionet e Kosovës. Çdo arritje e Shqipërisë është edhe e Kosovës dhe anasjelltas. Ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.”