14:02 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / indeksADMonline

Shqipëria ndryshon lejen e qarkullimit për automjetet në vend

Leja e qarkullimit të automjeteve në Shqipëri do të ndryshojë së shpejti. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka firmosur një urdhër që parashikon ndryshimin e lejes së qarkullimit që do të jetë në përputhje me direktivën Europiane.

Përveç formës së kartonit të ri, leja e qarkullimit do të përfshijë edhe certifikatën e pronësisë së automjetit. Aktualisht në Shqipëri ka dy kartona, një për lejen e qarkullimit dhe një tjetër për certifikatën e pronësisë së mjetit. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi së shpejti.

“Leja e re e qarkullimit do të jetë e barasvlershme me certifikatën e pronësisë. Prodhimi dhe plotësimi i lejes së re të qarkullimit do të bëhet sipas rregullores së hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor”, shkruhet në urdhër.