17:13 / E Martë, 11 Dhjetor 2018

Shqipëria “në këmbë”, bllokohen akset kryesore

Në shesh nuk janë vetëm studentët që prej 7 ditësh protestojnë kundër reformës në arsim.

Vala e protestave ka ngritur të gjithë Shqipërinë “në këmbë”, pasi nga Jugu në Veri po protestohet pasditen e së martës.

Në Kurbin, qytetarët kanë bllokuar sot në shenjë proteste “Rrugën e Kombit” dhe kërkojnë ulje të taksave, ulje të çmimit ë karburantit dhe të çmimit të energjisë elektrike.


Me pankarta në duar ata lëshojnë thirrje kundër qeverisë së Edi Ramës. Sipas korrespondenteve pjesa më e madhe e banorëve në protestë të cilët kanë veshur jelekët portokalli, janë familjarë dhe përfaqësues të bizneseve të vogla të zonës. Ata kanë shprehur shqetësimin se ndihen të rrezikuar për shkak të taksave të larta.

Ndërkohë protesta paralele po zhvillohen në Shkodër, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Durrës dhe Dibër.

Aksi Korçë-Kapshticë është bllokuar dhe fermerët kanë hedhur në rrugë prodhimet e tyre, ndërsa edhe autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar në të dy krahët.

Qytetarët kanë dalë në rrugë dhe kanë bllokuar akset kryesore të vendit, duke thirrur në kor: Rama ik!/Tch/