17:24 / E Enjte, 12 Tetor 2017 / indeksADMonline

Shqiptarët dhe serbët me pikëpamje të ndryshme mbi bisedimet Kosovë-Serbi

Një studim i publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës nxjerr në pah se shqiptarët dhe serbët e kuptojnë krejt ndryshe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces.

Këto pohime janë pjesë e një ankete të realizuar nga ky institut, me temën “Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi, këndvështrimi i qytetarëve”.

Jeta Krasniqi nga ky institut shpjegon vlerësimet e qytetarëve shqiptar dhe serb për mënyrën se si do të duhej të normalizoheshin marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.

“Shohim se 60 për qind e qytetarëve serb vlerësojnë se normalizim është rrugëtim pa penguar njëra tjetrën drejt rrugës evropiane dhe pa pasur nevojë të njohin njëra tjetrën. Ndërsa për komunitetin shqiptar dhe komunitetet tjera normalizim nënkupton së pari kërkim falje nga ana e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë ”, tha ajo.

Në raport thuhet se një pjesë e qytetarëve shqiptarë kërkojnë që Parlamenti i Kosovës të përfshihet më shumë në proces duke kërkuar më shumë raportim dhe transparencë për bisedimet Kosovë-Serbi, ndërsa shumica e qytetarëve serb nuk kanë përgjigje për një gjë të tillë.

Zonja Krasniqi thotë se qytetarët shqiptar dhe ata serb kanë mendime të ndryshme sa i përket edhe rolit të Bashkimit Evropian në garantimin e marrëveshjeve të arritura.

“Ne shohim se komuniteti serb në masë të madhe pra 57 për qind e tyre nuk e kanë të qartë apo nuk e dinë se çfarë roli duhet të ketë Bashkimi Evropian ndërsa një pjesë e madhe e tyre 31 për qind vlerësojnë se Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë garantues e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut. Ndërsa e kundërta ndodh për komunitetin shqiptar dhe komunitetet tjera të cilat në masë të madhe në rastin e komunitetit shqiptar 78 për qind e tyre dhe në raste të komuniteteve tjera 65 për qind e tyre vlerësojnë që Bashkimi Evropian duhet të jetë garantues dhe të përdorë masat e aj ndëshkuese për palët të cilat nuk i zbatojnë marrëveshjet”, tha ajo.

Në raport thuhet po ashtu se shumica e qytetarëve mendojnë se përfshirja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në bisedime nuk pritet të ushtrojë ndryshim të madh në këtë proces.

Raporti bën thirrje që faza e re e bisedimeve Kosovë-Serbi të garantojë gjithëpërfshirje të të gjithë faktorëve vendor në Kosovë, të ndërtohet një platformë e qartë, të përfshihet parlamenti i Kosovës duke i dhënë edhe legjitimitet kësaj faze të re dhe ndëshkimin e palëve që nuk zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian. Të dyja palët pritet që të vazhdojnë bisedimet por se tash në një format tjetër dhe siç është thënë, përtej çështjeve teknike./voa