16:33 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Shqiptarët e Amerikës: Vota kundër Trump është antikombëtare!

Federata Panshqiptare Vatra reagoi ndaj votës së Shqipërise për rezolutën e iniciuar nga Turqia dhe Jemeni. Në një njoftim të presidentit të Vatrës Dritan Mishto, thuhet se: Federata Vatra, mbështetësit dhe simpatizantët e saj në SHBA dhe mbarë botën janë ndjerë tejet të zhgënjyer nga votimi kundër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Rezolutën e paraqitur në OKB. Kjo votë kundër SHBA e Kryeministrit Edi Rama është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, si edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Votimi i Qeverisë Shqiptare kundër SHBA është akti i dytë publik i Kryeministrit Edi Rama, pas deklarimit të tij të mëparshëm se zgjedhja e Trumpit President të SHBA “Zoti na ndjeftë, do të dëmtonte botën demokratike”.

Sipas shqiptarëve të Amerikës, “vota e Qeverisë Shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara konsiderohet nga Federata Vatra si një Akt Antikombëtar”. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, thuhet në deklaratë rikonfirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Presidentit Trump dhe dënon me ashpërsi sjelljen antikombëtare të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.