18:01 / E Diele, 27 Gusht 2023 / AR

Shqiptarët sfidojnë sërish Britaninë, telefon brenda burgut, ‘vrasësi shqiptar flirton live në Tik Tok’

Daily Mail në një artikull ka treguar se shqiptarët kanë arritur të thyejnë në një mënyrë të befasishme sigurinë e burgjeve në  Mbretërinë e Bashkuar. Prestigjiozja britanike shkruan se shqiptari Eugert Merizaj, i dënuar me 32 vjet burgim për organizimin e vrasjes së një 30 – vjeçari  kurd, bën transmetime live në rrjetin social Tik Tok nga brenda burgut të Manchester. Në artikull thuhet se nga qelia e tij Merizaj flirton me vajzat dhe bashkëbisedon me të burgosur të tjerë.

Teksa vuan dënimin prej 32 vitesh heqje lirie në një nga burgjet e Britanisë,  shqiptari Eugert Merizaj, vazhdimisht kryen lidhje live në  rrjetin social tik-tok nga qelia e tij. Daily Mail raporton se Merizaj flirton me vajza dhe luan lojëra on-line në rrjetin social i pa shqetësuar edhe pse në ambientet e burgut nuk lejohet përdorimi i celularit.

Në artikull prestigjiozja britanike shkruan se Merizaj është dënuar me 32 vite burgim për organizimin e vrasjes së një 30 – vjeçari kurd pas prishjes së bizneseve të drogës mes dy grupesh trafikantësh.  Më tej Daily Mail raporton se shqiptari merr dhurata të ndryshme në Tik Tok nga ndjekësit e tij të cila kthehen në vlera monetare, ndërsa ai gjithashtu bashkëbisedon me disa të burgosur të tjerë.

Në shkelje të plotë të rregullave të sigurisë, Merizaj tregon se si telefoni i tij ishte hedhur nëpërmjet një droni në burgun e Mancesterit dhe ai e fsheh atë në një prej tualeteve. Shqiptari gjatë transmetimeve të tij live deklaron se nëse zbulohej nga oficerët e burgut, ai thjesht do të ‘blinte një tjetër’. Ai pretendonte  se është telefoni i tretë që ai përdor në burg, teksa secili prej tyre i ka kushtuar  atij rreth 2,000 paund.

Ngjarja për të cilën është dënuar Eugert Merizaj ndodhi më 14 shtator të vitit 2019, ndërsa ai duhet të kryejë dhe rreth 28 vite të tjera burg për të përfunduar dënimin e tij.

Image