15:23 / E Enjte, 14 Janar 2021 / OSH

ShSKUK pranon donacion mbi 2 milionë euro, Valbon Krasniqi premton se cila pajisje do të ruhet e mirëmbahet

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës( SHSKUK), ka përfituar një donacion në pajisje mjekësore në vlerë mbi 2 milionë euro.
Ky donacion është dhuruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë.
Donacioni ka në përbërje, pajisje dhe produkte mjekësore.

Valbon Krasniqi, u.d. i drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, tha se secila pajisje do të ruhet e mirëmbahet.

“Pandemia na ka bërë familje të madhe që bashkë ta mundim këtë të keqe. Këto pajisje dhe shumë të tjera janë ndihma më e mirë e Zyrës së OBSH-së dhe e miqve tanë. Ky donacion përfshinë 200 ventilatorë.​ 140 prej tyre janë për herë të parë në Kosovë, me këto pajisje e bëni punën tonë më të sigurt. Jemi falënderues për ndihmë që i keni ofruar popullit tonë. Secila pajisje do të ruhet e mirëmbahet sa më shumë që të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se ndihma e shtetit që përfaqëson do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCovid, duke shtuar se virusi është ende kërcënues.

“Gëzohem që pata rastin të kthehem këtu në një mjedis shumë familjar. E gjithë Evropa po përjeton një valë të dytë të virusit dhe askush nuk është i sigurt kështu vetëm të bashkuar do të arrijmë ta menaxhojmë. Qeveria e Gjermanisë është e lumtur që ka mundësi të ndihmojë Kosovën me 100 ventilatorë në luftën kundër Covidit-19” përfundoi ai.

Armend Zemaj, ministër në detyrë i Shëndetësisë, ​ me këtë rast ka falënderuar Qeverinë gjermane për ndihmën e dhënë duke shtuar se këto pajisje do të lehtësojnë punën për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ky është donacioni i radhës i miqve të Kosovës i partnerëve tanë, Qeverisë gjermane. Ky donacion përmban shumë pajisje në vlerë prej 2.17 milionë euro më fokus luftën kundër Covidit-19”.