12:39 / E Premte, 23 Qershor 2023 / k.v

Shtesat e rrezikshmërisë për policët, gjasat minimale të bëhet ekzekutimi në qershor

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës as këtë muaj nuk pritet të paguhen për rrezikshmëri.

Zyrtarë nga sindikata e policisë kanë thënë se gjasat janë minimale pasi që ende nuk kanë pranuar ndonjë njoftim se kjo do të ndodhë me pagën e qershorit.

“Është muaji i pestë që ne jemi duke pritur për tu paguar shtesat e rrezikshmërisë. Nuk e di deri kur do të shkoi kjo gjendje mirëpo kjo që po ndodhë nuk është aspak në rregull dhe serioze”, ka thënë për IndeksOnline një anëtar i Sindikatës së Policisë.

Sindikata sërish i kërkon Qeverisë që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, dhe kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit qershor dhe në asnjë rast të mos ketë shtyrje në realizimin e së drejtës për të gëzuar të drejtën në shtesën e rrezikshmërisë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreson se Qeveria e Republikës së Kosovës do të reflektoj dhe pa humbur kohë do ta realizoj shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar në të kundërtën e mos realizimit të kësaj kërkese siç po ndodh edhe me kërkesat tjera qe ia kem parashtruar deri me tani Qeverisë, ne si Sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për ti realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona”, ka thënë ai./IndeksOnline/