17:57 / E Martë, 28 Shkurt 2023 / MSH

Shtesat e shkurtit paguhen në mars, deklarohet MPB

Ministria e Punëve të Brendshme, në një deklaratë të përbashkët me Ministrinë e Financave, ka thënë se në muajin mars do të paguhen në mënyrë retroaktive shtesat e muajit shkurt.

Sipas MPB-së, kjo është bërë për shkak të vijueshmërisë së procesit të mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt” thuhet në njoftimin e MPB-së.

Të njëjtit kanë njoftuar institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë.