18:15 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / Blerim

Shteti nuk lëshon letërnjoftime, si do të votohet të dielën në Podujevë e Mitrovicë të Veriut?

Këtë të dielë, qytetarët e dy komunave në Republikës e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit, ani pse në kohë pandemie.

Në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut më 29 nëntor, do të votohet për kryetar të komunës.

Edhe në këto zgjedhje do të ketë një numër të madh të atyre që do të kenë të drejtë vote për herë të parë. Por, të njëjtit s’kanë pasur mundësi të pajisen me letërnjoftim, ashtu si edhe qytetarët të cilëve u ka skaduar data e këtij mjeti të identifikimit, pasi që komunat që nga muaji gusht i këtij viti kanë mungesë të materialit për të prodhuar letërnjoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme, në një përgjigje për IndeksOnline ka thënë se ende vazhdon të mos ketë material. “Agjencia e Regjistrimit Civil e MPB-së, e ka njoftuar KQZ-në, se nuk ka material për dokumente personale, respektivisht me letërnjoftime.

Është përgjegjësi e KQZ-së që të organizojë dhe të mbajë zgjedhjet në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi, ka treguar se me cilat dokumente mund të votohet.

“Për të votuar, një votues duhet ta ketë me vete njërin prej këtyre katër dokumenteve të vlefshme të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftimin, pasaportën, dokumentin e udhëtimit ose patentën e shoferit”.

Kujtojmë që para dy muajsh në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, pati deklaruar se materiali për letërnjoftim duhet të posedojë elemente të larta të sigurisë, andaj sipas tij procedurat për prodhimin e tij kërkojnë më shumë kohë.

“Me ligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2020 janë ndarë 300 mijë euro ku Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke zhvilluar të gjitha procedurat që në afat sa më të shkurtë kohor të furnizohet me material për letërnjoftim.

Për njoftimin tuaj, ky material është shumë sensitiv dhe duhet të posedojë elemente të larta të sigurisë prandaj edhe procedurat për prodhimin e këtij materiali marrin kohë. Kjo procedurë besojmë se do të përfundojë në javën e parë të muajit dhjetor ku pritet të bëhet edhe furnizimi me material të nevojshëm për prodhimin e letërnjoftimeve”, ka thënë Veliu./IndeksOnline/