Shteti siguron qumësht e produkte ushqimore për 73 institucione publike përmes kontratës me vlerë rreth 2 milionë euro
Punonjësit e sektorit publik, përveç benefiteve ekzistuese si pagat e 13-a, pushimet e paguara dhe akomodimi jashtë vendit, pritet të përfitojnë edhe furnizim me qumësht e diska produkte të tjera ushqimore përmes kontratave të reja shtetërore, shkruan IndeksOnline.
Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka shpallur fituesin e tenderit për furnizimim me produkte ushqimore për institucionet publike në Kosovë, me vlerë rreth 2 milionë euro.

Sipas njoftimit, kontrata përfshin furnizimin e rreth 73 institucioneve në nivel vendi, përfshirë komunat, institucionet e sigurisë, spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me produkte të ndryshme ushqimore dhe produkte të qumështit.


Kontrata kornizë ka kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe parashihet të hyjë në fuqi në fillim të shtatorit 2026.
Për realizimin e kësaj kontrate, AQP-ja ka shpallur fituese kompaninë “Beni Dona Plast” për dy lotet e tenderit. Loti 1–3 ka vlerë 548,925 euro, ndërsa loti 2–5 kap vlerën 1,189,675 euro.
Ky proces synon sigurimin e furnizimit të rregullt me produkte ushqimore për institucionet publike në vend, duke përfshirë edhe sektorin e shëndetësisë dhe atë të sigurisë./IndeksOnline/

