15:17 / E Mërkurë, 22 Mars 2023 / AR

Shtohen edhe mbi 1.5 milionë euro investime për fillimin e shërbimeve për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor në Gjinekologji

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, vizituan sot Klinikën e Gjinekologjisë ku janë njoftuar për parapërgatitjet finale për të funksionalizuar shërbimet e reja të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor dhe Citogjenetikës, në kuadër të planit të veprimit dhe dinamikës së paraparë.

Stafi i Klinikës së Gjinekologjisë i njoftoi edhe për punën dhe shërbimet që ofrohen në baza ditore.

Ministri Vitia dhe Presidentja Osmani panë nga afër përgatitjet infrastrukturore, të cilave u janë shtuar edhe mbi 1.5 milonë euro të dedikuara për paisjet specifike me qellim te funksionalizimit te shërbimit të FAM. Pas aprovimit të Projektligjit për FAM nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes së cilit do të plotësohet edhe aspekti legjislativ, ministri Vitia deklaroi se ndikimi pozitiv i kësaj iniciative për popullsinë e Kosovës është dukshëm më i lartë se sa kostoja e saj.

“Gjatë vitit të parë, për funksionalizimin e shërbimit për FAM është ndarë shuma në vlerë mbi 1.5 milion euro për sigurimin e pajisjeve të nevojshme dhe sigurimin e materialit shpenzues”, deklaroi ministri Vitia, i cili gjithashtu e falënderoi presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme.

Ndërsa, Presidentja Osmani deklaroi se çdo shërbim shëndetësor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se ajo mbetet e përkushtuar që të përkrahë çdo kërkesë që do të jetë në shërbim të shëndetit të qytetarëve, duke e theksuar edhe rëndësinë që e ka Fertilizimi i Asistuar Mjekësor (FAM).

Me FAM, adresohet mbi 15% të popullsisë të moshës riprodhuese të Kosovës të cilët kanë probleme me infertilitet, si dhe mundësohet diagnostikimi i hershëm sëmundjeve të trashëgueshme.