10:38 / E Hënë, 06 Janar 2020 / indeksADMonline

Shtrenjtohet nafta, pas kërcënimeve të Trumpit për sanksione kundër Irakut

Çmimet e naftës u rritën me 2 për qind sot, me “brentin” që tejkalon 70 dollarë për fuçi pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të vendosë sanksione ndaj Irakut nëse trupat amerikane detyrohen të largohen nga vendi.

Nafta e papërpunuar e detit verior, “brent” u rrit në 70.27 dollarë për një fuçi gjatë natës, deri në 1.67 dollarë ose 2.4 për qind nga e premtja, raporton Reutersi.

Nafta e lehtë amerikane WTI shitet për 64,39 dollarë për një fuçi, duke u rritur 1.34 dollarë ose 2.1 për qind nga e premtja. Gjatë sesionit të tregtimit, nafta WTI preku në një çast nivelin e 64,44 dollarë, më e larta që nga prilli i vitit të kaluar.

Çmimet e “arit të zi” kështu rritën fitimet e regjistruara të premten, kur ato u rritën më shumë se 3 për qind pas vrasjes së komandantit ushtarak iranian Qassem Suleimani në një sulm ajror amerikan.

Vrasja ka rritur frikën e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme që mund të çrregullojë furnizimet e naftës nga rajoni, duke përbërë gati 50 për qind të prodhimit global të naftës.

Analistët parashikojnë se çmimet e naftës do të variojnë nga 65 në 75 dollarë për një fuçi në vitin 2020, për shkak të rritjes së rreziqeve për infrastrukturën e naftës në Lindjen e Mesme, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, Parlamenti i Irakut dje miratoi një rezolutë me të cilën kërkohet largimi i trupave ushtarake amerikane nga vendi, pas vrasjes së gjeneralit iranian.