09:54 / E Hënë, 16 Mars 2020 / indeksADMonline

Shtyhen edhe kimioterapitë për pacientët me kancer, Drejtori i Onkologjisë sqaron situatën

Pacientët e sëmurë nga kanceri nuk kanë marr shërbimin e kimioterapisë dhe rrezatimit ditën e sotme, dhe nuk do të marrin të paktën deri javën tjetër.

Kjo për faktin se Klinika e Onkologjisë i është bashkuar vendimit të menaxhmentit të QKUK-së për të pezulluar shërbimet ambulantore për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin.

Drejtori i Klinikës Dr. Ilir Kurtishi, ka deklaruar për Gazetën  Shneta se shtyrja e terapive dhe rrezatimeve është vendim i kolegjiumit të klinikës në mënyrë që të ruhet imuniteti i pacientëve.

“Vendimin për shtyrje e kemi marr sot në mbledhjen e mëngjesit. Është për të mirën e pacientëve sepse këto terapi dhe rrezatimet janë shërbime ambulantore, pacientët mund të jenë të ekspozuar ndaj virusit dhe nëse marrin terapinë atëherë imuniteti i tyre është shumë i ulët dhe mund të jenë shumë të rrezikuar”, ka deklaruar Kurtishi.

Kurtishi ka deklaruar se javën tjetër do të shqyrtohet sërish kjo gjendje, ndërsa ka konfirmuar se hapësirat e klinikës do të dezinfektohen.

Kujtojmë se menaxhmenti i QKUK-së ka marr vendim dje për pezullimin e operacioneve jo-emergjente, shërbimeve ambulantore dhe shërbimeve tjera terapeutike