10:35 / E Premte, 24 Maj 2024 / mp

Shtyhet për ora 13:00 seanca ndaj Krivaqës, angazhohet avokati Skender Musa!

Në ora 13:00 pritet të nis seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit.

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej më 16 maj, por me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, avokatëve, Skender Musa dhe Arbnora Shefkiu është shtyrë seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit.

Andaj, trupi gjykues ka planifikuar që më datë 24 maj 2024, duke filluar nga ora 10:00 (shtyhet disa orë), të mbajë seancën gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve të lartcekur.

Në këtë seancë risi ishte avokati Skender Musa, i cili do ta përfaqësoj Krivaqën. Ky i fundit avokat kishte Admir Salihu.

Vrasja e Marigonës ka qenë njëra nga vrasjet më makabre të grave në Kosovë.

Çka dihet për rastin;

Kujtojmë se me 4 gusht të vitit 2023 Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

Ndërkohë që I akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim. Por ky vendim I turpit gjykues nuk zgjati shumë. Kjo pasi, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

E tashmë e ndjera Marigona Osmani, në moshën 18-vjeçare u vra mizorisht më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Aktakuza për këtë rast, jepte detaje drithëruese. Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit. Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare për këtë rast. /IndeksOnline/