Shtyhet seanca e Azem Sylës për arsye shëndetësore
Për arsye shëndetësore është shtyrë seanca ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve.
Seanca e gjykimit në Rastin “Toka” është shtyrë për shkak të mungesës së një të akuzuare dhe arsyeve shëndetësore të Azem Sylës.
Edhe e akuzuara Elheme Uka mungoi për shkaqe shëndetësore, ndërsa kryetari i trupit gjykues Petko Petkov, kërkoi dokumentacione për këtë çështje.
Nëse e akuzuara dështon të ofrojë dokumente për problemet shëndetësore brenda ditës së sotme, gjykata do të urdhërojë sjelljen e saj me detyrim në seancë.
Seanca e shtyrë u caktua më 13 shkurt.
Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive./kallxo.com/