09:41 / E Premte, 01 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Flasin avokatët e të akuzuarve, prokuroria nuk ka prova në pretendimet e saj  (Foto)

(E plotësuar) Avokatët e të akuzuarve në fjalën e tyre hyrëse kanë deklaruar se klientët e tyre në asnjë formë nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat pretendon Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Renda.

—-

Deputetët e VV-së deklarohen të pafajshëm

Të gjithë të akuzuarit e VV-së janë deklaruar të pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit.

Ndërkohë dëshmitarët e këtij rastit, deputetët Xhavit Haliti, Blerta Deliu Kodra, Bekimi Haxhiu janë liruar nga seanca deri të ftesën e radhës për të dëshmuar.

—-

Nis seanca ndaj deputetëve të VV-së (Foto)

Ka rinisur sërish seanca ndaj deputetëve të Vetëvendosjes të akuzuar për gazin e hedhur në Kuvendin e Kosovës.

Avokati i të akuzuarës Donika Kadaj-Bujupi ka tërhequr kërkesën e tij për përjashtimin e trupit gjykues, raporton Indeksonline.

Prokurori i rastit është duke e lexuar aktakuzën me të cilën akuzohen deputetët e VV-së, Albin Kurti, Donika Kadaj – Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

——

Shtyhet seanca ndaj deputetëve të VV-së, kërkohet përjashtimi i trupit gjykues

Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi e Faton Topalli, të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend ka nisur për tu ndërprerë pas pak minutave.

Deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu nuk kanë caktuar ndonjë avokat.

E për këtë gjykata ua ka caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare, raporton Indeksonline.

Avokati i të akuzuarës Donika Kadaj-Bujupi ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues me arsyetimin se trupi gjykues nuk është i paanshëm në gjykimin e kësaj çështje.

Nga ana tjetër, avokati i Faton Topallit ka kërkuar ndërprerje të seancës për disa minuta deri sa të merren vesh mes veti./Indeksonline/