11:40 / E Premte, 28 Maj 2021 / OSH

Shuhet balerina e famshme

Carla Fracci, mbretëresha e baletit italian, është shuar në moshën 84-vjeçare. Një nga balerinat më të njohura në botë vuante prej kohësh nga tumori.

Fracci gjatë karrierës së saj të gjatë spikati për talentin e veçante ku vallëzoi në skenat me prestigjioze në të gjithë botën. “Balerina e parë absolute”, e përcaktoi prestigjiozja amerikane New York Times. Menjëherë pasi u diplomua në teatrin La Scala ajo pati një karrierë të shkëlqyer.

“Carla Fracci ishte një figurë në historinë e vallëzimit dhe atë të La Scala, por gjithashtu një pikë referimi për qytetin e Milanos dhe kulturën italiane,” thuhet në një deklaratë të teatrit ‘La Scala’.

Ajo u bë prima balerinë në moshën 20-vjeçare dhe shumë shpejt u shndërrua në një yll ndërkombëtar, duke interpretuar gjini të ndryshme të baletit ku dalloi për aftësitë e saj teknike. Carla vallëzoi me emra të njohur si Rudolf Nureyev dhe Mikhail Baryshnikov.

Ajo ndërroi jetë në shtëpinë e saj, duke lënë pas burrin e saj Beppe Menegatti, një regjisor teatri me të cilin ishte martuar që nga viti 1964 dhe djalin e tyre Francesco-n.