20:57 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / Blerim

Shuhet historiani prof. Dr. Daut Bislimi

Shkruan: Prof. dr. Hysen Matoshi

 (Në vend të komemoracionit të munguar)

Në këto ditë të vështira të pandemisë, kur vdekja po rrëmben njerëzit tanë të dashur, e  pjesëtarët e vlerësuar të shoqërisë sonë dhe kur nuk po mund t’i nderojmë në përmasën e duhur, disa fjalë të thëna a të shkruara janë veçse përpjekje modeste për të nderuar veprën e kujtimin e tyre. Më 25 nëntor 2020 u shua Prof. dr. Daut Bislimi, këshilltar shkencor në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik, ku u pensionua dhjetë vjet më parë. Ndarja nga familjari, shoku, kolegu i punës, nga një njeri që prore na ka nderuar e respektuar të gjithëve – krahas familjes, edhe institucionin në të cilin punoi, bashkëpunëtorët e shumtë, shoqërinë dhe kohën në të cilën jetoi, ndarja nga një profesionist që e ka afirmuar, nëpërmjet studimeve të tij, historinë tonë kombëtare – u përjetua si një humbje e madhe.

Ndonëse nuk kishte detyrime profesionale të vendit të punës, Daut Bislimi deri në ditët e fundit të jetës ishte i pranishëm mes nesh në Institut, ku punoi me përkushtim për sjelljen e kontributeve historiografike. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, ka botuar monografi, punime studimore, recensione, ka paraqitur dhjetëra kumtesa në aktivitete shkencore në vend dhe jashtë tij. E kemi parë të angazhohej profesionalisht e intelektualisht deri në ditët e fundit të jetës, ndaj ikja e tij nga kjo botë ishte e beftë e papritur për të gjithë ne. Pikërisht këto ditë ishte duke e përgatitur ribotimin e kryeveprës së tij “Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945”, e cila do ta shohë dritën e botimit gjatë ditëve në vijim. Vdekja qe më e shpejtë dhe e privoi nga mundësia që ta shihte të realizuar edhe këtë punë të tijën.

Të dhëna biobibliografike

Daut Bislimi u lind më 10 tetor 1945 në Verban të Vitisë, ku edhe e kreu shkollimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Beograd. Më 1971 filloi punën në Institutin Albanologjik si bibliotekar. Në vitin 1978 kreu studimet në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi më 1982 me temën “Zhvillimi i historiografisë së Kosovës”, ndërsa doktori më 1996 me temën “Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945”. Nga viti 1988, kur u zgjodh hulumtues i pavarur, u bë pjesë e stafit shkencor të Institutit Albanologjik. Gjatë punës së tij kërkimore-hulumtuese në kuadër të Degës së Historisë i mori të gjitha thirrjet shkencore, ndërsa edhe pas pensionimit, më 2010 e deri para pak ditësh, e vijoi punën dhe projektet shkencore që përfshinin historinë e re të shqiptarëve, duke qenë njëri ndër bashkëpunëtorët më të rregullt të Institutit Albanologjik, qoftë si pjesëmarrës në aktivitete shkencore, qoftë si recensent a mentor i kolegëve të rinj.

Numri i punimeve të tij studimore është i madh, dhjetëra sosh të botuara në revista shkencore me renome për albanologjinë, kumtesa në materiale të aktiviteteve shkencore, recensione, kritika shkencore etj. Megjithatë, do të përmendim me këtë rast vetëm dy nga veprat e tij që besojmë se do të jenë referenca për studiuesit e historisë së shqiptarëve, veçmas të historisë së re të Kosovës. Së pari, është monografia e tij “Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945” (Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1997), e cila është kryevepra e tij dhe, pa dyshim, njëra ndër veprat kapitale të historiografisë sonë që hedh dritë mbi faktorët politiko-ushtarakë në Kosovë (po edhe më gjerë) gjatë periudhës më dinamike e më tragjike të historisë njerëzore, sikundër ishte Lufta e Dytë Botërore. Konteksti i trajtimit të formacioneve politiko-ushtarake është mjaft i gjerë dhe përfshin edhe faktorë të tjerë gjeopolitikë të kohës, organizata politike në mesin e shqiptarëve, qofshin legale, qofshin ilegale, e deri te forcat antifashiste të Kosovës dhe të Shqipërisë që morën pjesë në Luftën Antifashiste edhe në pjesën e Kosovës dhe përtej saj. Kjo vepër është bazuar në burime arkivore dhe përbën një sintezë me interes për historishkrimin e Kosovës. Vepër tjetër shumë e rëndësishme e Daut Bislimit është kontributi bibliografik në sferën e studimeve historiografike në Kosovë e titulluar “Bibliografi e punimeve historike të publikuara në Kosovë gjatë viteve 1946 – 1998” (Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2006). Nëpërmjet kësaj bibliografie, që sjell të dhëna për kontributin historiografik të botuar në Kosovë për një periudhë 42-vjeçare, e ku kanë gjetur vend 1786 zëra bibliografikë, Daut Bislimi e ka lehtësuar punën e studiuesve tanë për identifikimin e lëndës studimore. Rruga e secilit studiues e në sferën e historiografisë shqiptare dhe më gjerë bëhet më e shkurtër dhe më efikase kur ka para vetes një udhërrëfyes të tillë bibliografik. Bibliografitë, në një mënyrë paksa të veçantë, e nxjerrin në pah karakterin social të autorit të tyre. Në vërtetë, janë të rrallë ata shkencëtarë që grumbullojnë një bazë kaq të gjerë të dhënash dhe shprehin gatishmërinë që bujarisht ta ndajnë me studiuesit e tjerë. Kjo flet shumë për afërsinë kolegjiale dhe gatishmërinë që Daut Bislimi e manifestonte për t’iu dalë krah kolegëve dhe përgjithësisht komunitetit të historiografëve. Merret vesh në këtë shkrim të tipit in memoriam nuk është e mundur të përfshihet e gjithë puna shkencore e tij që u realizua përgjatë disa dekadave dhe e cila mbetet pjesë e trashëgimisë së rëndësishme të historiografisë shqiptare.

 Përgjithësisht, kontributi i tij shkencor është i shumtë dhe i shumanshëm, ndërsa me të do të merren në të ardhmen studiuesit tanë, por unë do të vë theksin te fakti se ne do të na mungojë përherë dimensioni i tij njerëzor, afërsia që krijonte, dashamirësia, solidariteti, korrektësia dhe sinqeriteti i tij. Është një fat i keq që ne si Institut dhe si shoqëri nuk arritëm ta nderojmë në përmasën që e meritonte në ditën e largimit të tij nga kjo botë. Natyrisht mbetet një obligim yni, në rend të parë i Degës së Historisë, që denjësisht ta vlerësojmë e ta nderojmë punën shkencore dhe profilin njerëzor të Daut Bislimit në rrethana të tjera që shpresojmë se do të vijnë së shpejti.

Në të këtilla raste të dhimbjes provojmë të gjejmë një pikë ku do ta mbështesim ngushëllimin tonë për humbjen e pakthyeshme. Pa dyshim se ngushëllimi më i madh për ne mbetet trashëgimia e pasur që na la kolegu ynë si shkencëtar, si individ i dalluar i institucionit dhe i shoqërisë sonë. Dautin nuk do ta takojmë më në ambientet tona të punës, në shtëpinë e tij të dytë ku i kaloi gati pesë dekada të jetës, por gjithsesi do ta kemi në mendjet, në zemrat, veçmas në bibliotekat, në trashëgiminë tonë intelektuale si një referencë që do të na ndihmojë në kërkimet historiografike.

Familja dhe të afërmit e Daut Bislimit kanë pse të jenë krenarë me jetën, veprën, veprimtarinë dhe qëndrimin dinjitoz të familjarit të tyre në të gjitha fazat e jetës. Prandaj, edhe ne si Institut Albanologjik, si familje e tij e dytë, i jemi mirënjohës për punën profesionale për qëndrimin korrekt kolegjial, për dashamirësinë